... Nami.al

Pezullohen përkohësisht fluturimet në hapësirën ajrore të Shqipërisë: Çfarë ndodhi

Pezullohet përkohësisht trafiku ajror në hapësirën ajrore shqiptare. Shkak dyshohet të jetë bërë një problem teknik në sistemin e radarëve të Albcontrol, duke sjellë ndërprerje në monitorimin e trafikut ajror.

Dy fluturime që priteshin të uleshin në orën 18:45 janë devijuar.

Për disa minuta, si masë sigurie, asnjë avion nuk është lejuar të fluturojë në hapësirën ajrore të Shqipërisë, ndërsa janë ndaluar përkohësisht edhe ngritjet dhe uljet e avionëve.

Ndërprerja e sistemit mund të shkaktojë vonesa në nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe pritje për avionët që ndodhen në fluturim. Në varësi të kohëzgjatjes së problemit, mund të ketë edhe shtyrje të orareve apo devijime të përkohshme të fluturimeve.

Burime bëjnë me dije se po punohet për normalizimin e sistemit dhe rikthimin e trafikut ajror në normalitet.

Pezullimi i përkohshëm është marrë për arsye sigurie, pasi funksionimi i plotë i sistemeve të monitorimit është thelbësor për navigimin dhe garantimin e ndarjes së sigurt të avionëve në hapësirën ajrore.

Pritet që me rikthimin e sistemeve në funksion të plotë, trafiku ajror të rifillojë gradualisht dhe situata në aeroportin e Rinasit të normalizohet.