...
Pas një seance maratonë me debate të forta ligjore mes palëve, trupa gjykuese e Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën arrest me burg për biznesmenin, Ergys Agasi.
Avokati Maks Haxhia tha se Prokuroria ka ardhur me një akuzë të re, atë të korrupsionit pasiv, ndërsa bëri me dije se vendimi do të ankimohet.
Biznesmeni Ergys Agasi u arrestua pas 8 muajsh në arrati për dosjen e AKSHI-t, teksa lëvizte me makinë nga Elbasani në drejtim të Durrësit.
Bashkë me të në makinë ishte edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku.
Ndër provat kryesore të paraqitura nga prokuroria janë disa regjistrime me video të bëra në zyrën e Agasit.
Sipas akuzës, pamjet e filmuara nga vetë biznesmeni gjatë takimeve me persona të ndryshëm shërbejnë si prova kyçe në dosje.
Avokati Maks Haxhia i hodhi poshtë pretendimet e SPAK-ut, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë konkrete që e lidh klientin e tij me veprat penale.
Seanca u ndërpre disa herë me kërkesë të mbrojtjes për t’u njohur me aktet.