...
Autoritetet e Ekuadorit kanë arrestuar Pablo Adrián H. T., i njohur me nofkën “Caballo”, i dyshuar si operator financiar i mafias shqiptare që merrej me trafikun e sasive të mëdha të kokainës nga portet e Ekuadorit drejt Europës.
Sipas ushtrisë ekuadoriane, ndaj tij kishte një urdhër arresti në fuqi për trafik droge. Ai po hetohet gjithashtu për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
“Caballo” u arrestua gjatë një operacioni ushtarak në La Maná, në provincën e Cotopaxit. Pas arrestimit, ai u transferua në Quevedo, në provincën Los Ríos, ku iu dorëzua autoriteteve për procedurat gjyqësore.
Forcat e sigurisë dyshojnë se i arrestuari kishte lidhje me rrjetin e mafias shqiptare në Ekuador, i cili sipas autoriteteve drejtohej nga shqiptari Dritan Gjika. Ky i fundit u arrestua vitin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pritet të përballet me procedurat për ekstradim.
La Maná ndodhet në një pozicion strategjik përgjatë korridorit rrugor të Ekuadorit qendror, duke lehtësuar lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe burimeve logjistike që, sipas autoriteteve, mund të përdoren nga organizatat kriminale.
Zona prej disa muajsh është në gjendje të jashtëzakonshme të shpallur nga presidenti Daniel Noboa, për shkak të niveleve të larta të kriminalitetit dhe dhunës.
Arrestimi i “Caballos” nuk është rasti i parë këtë vit që autoritetet ekuadoriane ndalojnë persona të dyshuar për lidhje me mafian shqiptare. Në mars, gjykata urdhëroi paraburgimin e 14 personave të arrestuar nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë drejt Evropës përmes kontejnerëve.