... Nami.al

Çahet kanali “Naum Panxhi”/ Uji dhe inertet vërshojnë në rrugë dhe bllokojnë aksin Elbasan-Cërrik, devijohet trafiku

​Rreth orës 11:00 të ditës së shtunë, një situatë emergjente është regjistruar për shkak të çarjes së kanalit kryesor të “Naum Panxhit”. Si pasojë, vërshimi i menjëhershëm i ujit dhe inerteve ka shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Elbasan-Cërrik.

​Për të menaxhuar situatën dhe për të lehtësuar qarkullimin, ekipet e Agjencisë së Shërbimeve Publike Rurale në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Rrugore, kanë ndërhyrë duke bërë të mundur devijimin e automjeteve në rrugë alternative.

​Sipas informacioneve nga terreni, prej më shumë se dy orësh strukturat e ASHPR-së po mbajnë kontakte të vazhdueshme për menaxhimin e situatës me Bordin e Kullimit, në inventarin e të cilit ndodhet kanali kryesor “Naum Panxhi”.

​Aktualisht, Agjencia e Shërbimeve Publike Rurale ka angazhuar maksimalisht të gjitha mjetet dhe punonjësit e saj në terren për pastrimin e trupit të rrugës. Ndërkohë, si masë emergjente për të evituar përmbytjet e mëtejshme në zonat përreth, janë hapur të gjitha kanalet dytësore vaditëse.

​Pritet edhe ndërhyrja e plotë nga Bordi i Kullimit për të bërë të mundur stabilizimin përfundimtar të situatës dhe rikthimin e normalitetit në këtë aks.