... Nami.al

Kthesë e papritur e motit në jug, reshje të dendura shiu përfshijnë Sarandën dhe Ksamilin

Pas javësh me temperatura të larta, moti ka ndryshuar ndjeshëm pasditen e sotme në jug të vendit, ku Saranda është përfshirë nga reshje të dendura shiu.

Reshjet janë shoqëruar me vetëtima dhe kanë shkaktuar grumbullim të ujit në disa prej rrugëve të qytetit. Vërshimi i ujit ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve në zona të ndryshme.

Ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike vjen pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mot të thatë, që ka favorizuar edhe përhapjen e zjarreve në disa zona të vendit.

Në ditët e fundit, vatra zjarri janë raportuar në disa qarqe, ndërsa situata është ndikuar nga temperaturat e larta dhe erërat.

Ndërkohë, parashikimet meteorologjike tregojnë për një rënie të temperaturave gjatë fundjavës, me tendencë për vijimin e temperaturave më të ulëta edhe gjatë pjesës së mbetur të muajit gusht.