... Nami.al

Rusia liron “për arsye humanitare” ish-marinsin amerikan që mbahej në burg prej 4 vitesh

Rusia ka liruar një ish-marins amerikan, i cili u dërgua në paraburgim në vitin 2022, pasi sipas raportimeve, ishte në gjendje shëndetësore jashtëzakonisht të rëndë.

Robert Gilman, nga Masaçusetsi, u lirua “nga paraburgimi për arsye humanitare” dhe të martën udhëtoi me një avion amerikan drejt Uashingtonit, sipas Kirill Dmitriev, të dërguarit të posaçëm të presidentit rus Vladimir Putin.

Senatori i Masaçusetsit, Ed Markey, shkroi në rrjetet sociale se Gilman po luftonte me një formë të rëndë pneumonie përpara lirimit.

Gilman ishte 28 vjeç kur u arrestua, pasi kishte goditur me shkelm një oficer policie ndërsa ishte i dehur, gjatë një udhëtimi me tren drejt Moskës.

“Rreth 50 ditë më parë, Robert u diagnostikua me stupor disociativ, një gjendje në të cilën ai nuk reagon, nuk është në gjendje të ndërveprojë dhe as të ushqehet”, tha Markey.

Familja e tij po pret mbërritjen e tij në një spital ushtarak në Teksas.

“Jam shumë mirënjohëse ndaj presidentit Trump që i shpëtoi jetën vëllait tim”, tha motra e tij, Lexie Hudson, në një deklaratë.

“Nuk ka asnjë arsye tjetër që Roberti të jetë gjallë sot, përveç faktit që presidenti Trump dëgjoi për rastin dhe ndërhyri.”