... Nami.al

Meloni – Frederiksen: Aleanca e dy grave më të fuqishme të Europës kundër refugjatëve

Me një mesazh të përbashkët në rrjetet sociale, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologia e saj daneze, socialdemokratja Mette Frederiksen, treguan se po bashkojnë forcat për frenimin “e emigracionit të pakontrolluar”, me argumentin se ka “ndikime negative për shoqërinë”.

Një mesazh për Europën, është thelbi i apelit të dy liderëve, i cili vjen pikërisht në ditët e përplasjeve mes Italisë dhe Spanjës, pas krizës së Ceutës dhe vendimit të mëvonshëm të Palazzo Chigi-t për pezullimin e zbatimit të Marrëveshjes së Shengenit.

“Së bashku me Mette Frederiksen, kryeministren e Danimarkës, ndajmë disa reflektime mbi të ardhmen e Evropës, mbi sigurinë e qytetarëve të saj dhe mbi nevojën për të mbrojtur vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës”, shkroi Meloni në Facebook. Në mesazhin e tyre, dy kryeministret që nxitën letrën e firmosur nga 22 vende europiane drejtuar institucioneve të Bashkimit Europian, menjëherë pas mbërritjes së më shumë se 70 mijë emigrantëve të paligjshëm në enklavën spanjolle të Ceutës- pohojnë se janë “të vetëdijshme se shumë njerëz mund të pyesin veten për këtë bashkëpunim mes tyre.

“Ne vijmë nga qëndrime politike shumë të ndryshme dhe sigurisht që nuk jemi dakord për gjithçka. Ne jemi dy të vetmet gra që drejtojnë qeveri në BE. Njëra prej nesh drejton një vend të madh të Jugut; tjetra, një vend të vogël të Veriut. Por ajo që na bashkon, është dëshira për të mbrojtur Europën”. “Ne nuk pranojmë një emigracion të pakontrolluar drejt kontinentit tonë dhe kemi promovuar një politikë të rreptë emigrimi, si në vendet tona, ashtu edhe më gjerë në Europë.

Askush nuk mund t’i mohojë ndikimet negative të emigracionit të paligjshëm mbi shoqëritë tona: rritjen e shkallës së kriminalitetit, presionin në rritje mbi shërbimet publike dhe gërryerjen e besimit të qytetarëve”, deklarojnë Meloni dhe Frederiksen, duke theksuar se “është veçanërisht e rëndë kur emigrantë të paligjshëm, të cilëve u mungon e drejta për të qëndruar në vendet tona, kryejnë krime të dhunshme, e merren me trafik droge.

Sipas Melonit dhe Frederiksenit, qytetarët europianë “presin veprime konkrete nga përfaqësuesit e tyre politikë”. “Për një kohë tepër të gjatë, veçanërisht njerëzit e zakonshëm kanë paguar një çmim tepër të lartë për shkak të një imigracioni të pakontrolluar. Është detyra jonë të vazhdojmë të angazhohemi me vendosmëri për t’u ofruar qytetarëve përgjigje konkrete, veçanërisht atyre më të ekspozuar, dhe për të garantuar më shumë siguri dhe mbrojtje për komunitetet tona”, theksohet në mesazh.