...
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, ka prezantuar ndryshimet në Kodin Rrugor.
Një nga masat më të forta lidhet me drejtimin e automjetit pa leje drejtimi. Personave që kapen duke drejtuar mjet pa qenë të pajisur me patentë, e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi u shtyhet deri në 1 vit, ndërsa për të miturit kjo periudhë shkon deri në 2 vjet.
Ashpërsohen ndjeshëm edhe masat për drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit.
Leja e drejtimit hiqet përgjithmonë kur një drejtues rezulton me më shumë se 0.5 g/l alkool në gjak, nëse më parë është konstatuar dhe ndëshkuar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Sipas Policisë Rrugore, masa synon të adresojë numrin e aksidenteve me pasoja të rënda që lidhen me drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit.
Ndryshime të tjera prekin sjelljet agresive dhe të rrezikshme në rrugë, veçanërisht në zonat urbane, pranë shkollave, kryqëzimeve dhe degëzimeve.
Për shkelje të tilla, përfshirë mosrregullimin e shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe manovrat që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, gjoba është rritur nga 20 mijë në 60 mijë lekë.
Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit nuk ndëshkohet më vetëm për drejtuesit e automjeteve.
Kodi i ri parashikon sanksionim edhe për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
Ndërkohë, për drejtuesit e automjeteve është ashpërsuar edhe rregulli për përsëritjen e shkeljes: patenta pezullohet pas dy ndëshkimeve brenda të njëjtit vit për përdorimin e telefonit, nga tre shkelje që kërkoheshin më parë.
Policia e konsideron përdorimin e celularit një ndër faktorët kryesorë që çon në humbjen e kontrollit mbi mjetin dhe në aksidente.
Masa të posaçme janë vendosur edhe për personat që kanë marrë patentën gjatë 24 muajve të fundit.
Për këtë kategori parashikohen rregulla të veçanta lidhur me drejtimin nën ndikimin e alkoolit, si dhe kufizime specifike të shpejtësisë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e mundësisë për të shmangur pezullimin e patentës përmes pagesës së një shume sa dyfishi i gjobës maksimale.
Deri më 7 gusht, në disa raste drejtuesi që ndëshkohej me gjobë dhe pezullim të patentës mund të zgjidhte pagesën e dyfishit të masës maksimale administrative, duke shmangur pezullimin.
Kjo mundësi është hequr. Në rastet kur Kodi parashikon pezullimin e lejes së drejtimit, ajo tashmë pezullohet automatikisht.
Policia Rrugore ka njoftuar se strukturat në të gjithë vendin janë informuar për ndryshimet dhe janë udhëzuar për zbatimin e tyre.
Policia u ka bërë apel drejtuesve të mos tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, të mos drejtojnë nën efektin e alkoolit, të mos përdorin telefonin në timon dhe të shmangin parakalimet apo manovrat e rrezikshme.
Prononcim për media i drejtorit të Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci
Jemi sot në këtë komunikim me ju, për prezantimin e disa normave të reja, të miratuara me Ligjin nr. 58/2026 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, masa këto që synojnë rritjen e sigurisë rrugore, ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve dhe uljen e numrit të aksidenteve rrugore.
Ndër ndryshimet kryesore, të cilat kanë hyrë në fuqi më datë 07.08.2026, evidentojmë:
* Shtyrjen e së drejtës për t’u pajisur me leje drejtimi deri në 1 vit për personat që konstatohen duke drejtuar mjete pa qenë të pajisur me leje drejtimi, ndërsa për të miturit kjo periudhë shtyhet me 2 vjet. Shërbimet e Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit do të informojnë, për çdo rast, DSHTRR-në, si institucioni kompetent për lëshimin e lejeve të drejtimit, për kryerjen e procedurave përkatëse të regjistrimit në sistem të personave të konstatuar.
* Heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit kur një drejtues mjeti rezulton me një vlerë alkoolike më të lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjak dhe është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Kjo masë vjen si nevojë e adresimit të fenomenit shqetësues të aksidenteve rrugore me pasoja, për shkak të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
* Ashpërsimin e masave ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, mosrregullimit të shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, në zonat urbane, në afërsi të shkollave, kryqëzime apo edhe degëzime.
Masa administrative për këtë shkelje është rritur nga 20 000 deri në 60 000 lekë.
Nëpërmjet kësaj norme i jepet rëndësi e posaçme vendit ku kryhet shkelja, si dhe janë përcaktuar më qartë elementet e anës objektive të kryerjes së shkeljes. Shtimi i sanksionit është parë i arsyeshëm për shkak të nivelit të lartë të rrezikut që paraqet kjo shkelje dhe shtimit të ngjarjeve rrugore në zonat urbane.
* Sanksionimin e përdorimit të telefonit celular edhe gjatë drejtimit të biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
* Pezullimin e lejes së drejtimit në rast se një drejtues mjeti është ndëshkuar dy herë brenda të njëjtit vit për përdorim të aparatit celular, nga tre që ishte përpara miratimit të këtij ligji.
Përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit rezulton një ndër shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit mbi mjetin dhe, për pasojë, edhe të aksidenteve rrugore.
* Sanksionimin e masave të posaçme për drejtuesit e rinj që kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit, për sa i përket drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit, si dhe kufizime të posaçme të shpejtësisë për këtë kategori drejtuesish.
* Një ndryshim tjetër është heqja e konvertimit të pezullimit të lejes së drejtimit, të lëshuar nga shteti shqiptar, me pagesën e një shume sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për normën e shkelur.
Nëse deri përpara datës 7 gusht, një drejtues mjeti, i evidentuar/kapur në shkelje të një norme/dispozite të Kodit Rrugor, ku, përveç masës administrative në vlerë monetare, parashikohej edhe masë administrative plotësuese, “pezullim i lejes së drejtimit”, kishte opsionin për të paguar dyfishin e vlerës maksimale të gjobës, me qëllim mosaplikimin e masës plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit, kjo mundësi tashmë, me ndryshimet e reja, është hequr dhe leja e drejtimit pezullohet automatikisht.
Strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë njohur me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor dhe janë udhëzuar për zbatimin korrekt të tyre.
Nisur nga shkeljet e shumta të evidentuara nëpërmjet mjeteve inteligjente, si dhe nga ashpërsimi i Kodit Rrugor në funksion të sigurisë së jetës, Policia e Shtetit u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të mos drejtojnë automjetet dhe motomjetet nën efektin e alkoolit, e më keq akoma, në gjendje të dehur, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit dhe motomjetit dhe të mos kryejnë parakalime ku nuk lejohet, apo manovra të rrezikshme apo agresive.
Masat ndëshkuese nuk janë qëllimi ynë. Qëllimi ynë është parandalimi i shkeljeve, parandalimi i aksidenteve dhe, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës.
Prandaj, kërkojmë nga çdo drejtues mjeti që të tregojë përgjegjshmëri në çdo moment që është në timon dhe të respektojë rregullat e qarkullimit rrugor.
Siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët. Kontributi i secilit prej nesh është një hap më shumë drejt rrugëve më të sigurta dhe shpëtimit të jetëve.