...
Gjykata e Apelit të Posaçëm zbuti masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për Erind Agalliun alias Teneqexhiun. Sipas urdhërimit të gjykatës, i dyshuari urdhërohet të mos largohet nga banesa e tij.
Agalliu u arrestua në kuadër të një aksioni të përbashkët mes SPAK dhe Finlandës, ku u firmosën masa sigurie për 11 shtetas shqiptarë. Grupi ku ai bënte pjesë kishte trafikuar 900 kg kanabis, kokainë e amfetaminë.
Nga hetimi i përbashkët rezultoi se gjatë viteve 2022 dhe në vazhdim, janë evidentuar 4 grupe të strukturuara kriminale, në përbërje të të cilëve kanë qenë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto grupe, të krijuara, organizuara dhe drejtuara nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope.
Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja, si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës, duke shfrytëzuar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.
Karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ka qenë bashkëpunimi mes tyre për realizimin e qëllimeve kriminale ose, në disa raste, disa anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale vepronin edhe për llogari të grupeve të tjera.
Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e shkallëve të para të Finlandës për këtë veprimtari kriminale.
Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë: trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis, si dhe sasi të konsiderueshme kokaine; shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjera./vna.al