...
Fundjava e fundit e muajit korrik ka shënuar fluksin më të lartë të hyrjeve të qytetarëve të Kosovës në Shqipëri përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, krahasuar me fundjavat e mëparshme të sezonit veror.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin, në periudhën nga ora 05:00 e datës 25 korrik deri në orën 08:30 të datës 26 korrik 2026, në territorin shqiptar kanë hyrë 45 518 shtetas të Kosovës.
Gjatë të njëjtës periudhë janë regjistruar edhe 12 790 automjete që kanë kaluar kufirin drejt Shqipërisë, duke konfirmuar rritjen e ndjeshme të lëvizjeve në kulmin e sezonit turistik.
Sipas autoriteteve kufitare, ky fluks lidhet me afrimin e muajit gusht, periudhë kur shumica e qytetarëve nisin pushimet verore. Në rritjen e numrit të hyrjeve ndikon edhe ardhja e diasporës kosovare, e cila tradicionalisht zgjedh të kalojë pushimet në bregdetin shqiptar, por edhe në destinacionet turistike malore.
Autoritetet parashikojnë që fluksi në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë të mbetet i lartë edhe gjatë javëve në vijim. Strukturat e Policisë Kufitare janë në gatishmëri për të menaxhuar shtimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa vijon zbatimi i marrëveshjes për kalimin pa kontrolle të automjeteve me targa të Shqipërisë dhe Kosovës. Për automjetet me targa të vendeve të tjera zbatohen procedura të përshpejtuara të kontrollit.