...
Një viktimë dhe 5 të plagosur në gjendje të rëndë është bilanci tragjik i një aksidenti në Vlorë.
Një furgon me punonjës ka humbur kontrollin orët e para të mëngjesit në aksin Vlorë–Llogara, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur me një bordurë betoni në anë të aksit.
Dyshohet se punëtorët ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit.
Përplasja ka qenë aq e fortë, aq sa mjeti është shkatërruar plotësisht, ndërsa është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe dy persona të tjerë.
Të plagosurit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.