... Nami.al

Drejtoria e Burgjeve krijon ambient për nënën me fëmijë, pas skandalit të burgosjes së 34-vjeçares

Këto janë pamjet nga dhoma e burgut ku po mbahet 34-vjeçarja bashkë me foshnjën e saj 7 muajsh.

E reja, nënë e tre fëmijëve të miturk, u arrestua me të mbërritur në Rinas dhe u dërgua në burgun e Pojskës, pasi ishte denoncuar nga vjehrri i saj për dhunë në familje.

“Në zbatim të legjislacionit në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës, në IEVP Pojskë është akomoduar e dënuara me inicialet D. S., e dënuar me 2 (dy) muaj burgim, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe.

Gjatë procedurave të pranimit në institucion, shtetasja me inicialet D. S. ushtroi të drejtën e parashikuar nga Ligji nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.

Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm, ambiente të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre.

Për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike dhe sociale.

Zbatimi i këtij plani monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit, me synimin për të garantuar mirëqenien e nënës dhe të fëmijës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi”, bën me dije Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.