... Nami.al

Detaje nga aksidenti te rrethrrotullimi i TEG-ut, humb jetën drejtuesi i betonieres!

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë një viktimë dhe një të plagosur rëndë është regjistruar pasditen e së mërkurës në Unazën e Madhe të Tiranës, pranë rrethrrotullimit të TEG-ut.

Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i një betoniereje ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një automjet tip fuoristradë. Si pasojë e përplasjes, betoniereja ka thyer barrierat mbrojtëse të urës dhe ka rënë në rrugën poshtë saj.

Nga aksidenti ka humbur jetën drejtuesi i betonieres, ndërsa drejtuesja e fuoristradës është transportuar në spital në gjendje të rëndë, ku po merr ndihmë mjekësore.

Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e përfshira, ndërsa në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet e Policisë, forcat zjarrfikëse dhe ekipet e urgjencës.

Grupi hetimor ka nisur veprimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e plotë të aksidentit, ndërsa pritet një njoftim zyrtar me detaje të mëtejshme mbi ngjarjen.