...
Policia e Tiranës ka intensifikuar hetimet për zbardhjen e rrethanave të helmimit të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke sekuestruar dokumentacionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) lidhur me kontrollet e ushtruara ndaj kompanisë private “SORI-Al”, e cila furnizonte me ushqim studentët.
Sipas burimeve zyrtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik ka marrë në administrim të gjithë dosjen e kontrolleve të kryera nga AKU ndaj këtij subjekti për periudhën nga janari i këtij viti deri më tani. Dokumentacioni do të shërbejë për të verifikuar nëse procedurat ligjore të inspektimit janë zbatuar në mënyrë korrekte.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse gjatë kontrolleve të mëparshme janë konstatuar parregullsi që mund të kenë ndikuar në përsëritjen e rasteve të dyshuara të helmimit të studentëve.
Grupi hetimor është në pritje të analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të intoksikimit të 64 studentëve, të cilët janë paraqitur në spital me simptoma si dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë.
Në varësi të rezultateve të ekspertizës, nuk përjashtohet mundësia e marrjes së masave të mëtejshme ligjore ndaj personave përgjegjës për rastin.