...
Bilanci i tërmetit shkatërrues të dyfishtë që goditi Venezuelën po rëndohet nga ora në orë.
Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 235, të plagosurit janë mbi 4.300, ndërsa më shumë se 42 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të gërmojnë mes rrënojave në Karakas dhe në La Guaira, një nga zonat më të goditura.
Dy lëkundje me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën vendin gjatë natës mes të mërkurës dhe të enjtes, me vetëm 40 sekonda diferencë nga njëra-tjetra.
Shumë njerëz dyshohet se kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë kanë mbetur pa strehë ose kanë frikë të qëndrojnë në ndërtesat e dëmtuara dhe të pasigurta, duke kaluar natën në rrugë pas katastrofës.
Të dy tërmetet ishin të cekëta, i pari kishte epiqendrën në një thellësi prej 20,3 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, ndërsa i dyti në një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.
Disa vende kanë premtuar ndihmë për operacionet e shpëtimit, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një ndihmë prej 150 milionë dollarësh. Ushtria amerikane po dërgon anije transporti dhe avionë për të mbështetur ekipet e kërkim-shpëtimit dhe për të mundësuar “operacione të shpejta të ndihmës”, thuhet në një deklaratë. Uashingtoni ka autorizuar kryerjen e transaksioneve drejt Venezuelës, të cilat zakonisht ndalohen nga sanksionet, me kusht që ato të lidhen me “operacionet e ndihmës humanitare”.
Mbi 250 ndërtesa janë dëmtuar ose rrënuar. Aeroporti kryesor ndërkombëtar i Venezuelës, në Maiquetía, në periferi të Karakasit, është mbyllur për shkak të dëmeve të rënda, njoftoi presidentja e përkohshme e vendit.