...
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur urdhrin për shpalljen “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë” të shtetases Igballe Huduti (Berisha), duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar për një periudhë 15-vjeçare.
Sipas burimeve zyrtare, vendimi është marrë mbi bazën e informacioneve të administruara nga institucionet përgjegjëse të sigurisë, sipas të cilave aktiviteti i saj është vlerësuar si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin publik dhe interesat e Republikës së Shqipërisë.
Urdhri i ministrit i është përcjellë për zbatim strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, të cilat do të monitorojnë respektimin e masës dhe ndalimin e hyrjes së saj në territorin shqiptar gjatë periudhës së përcaktuar.
Vendimi vjen në një kohë kur emri i Igballe Hudutit është rikthyer në vëmendjen publike pas përfshirjes së saj në protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë.
Më herët gjatë ditës, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale fotografi nga protesta, ku përfshihej edhe Huduti, duke e akuzuar atë për përhapje të mesazheve të urrejtjes dhe qëndrime ekstremiste.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë pretendoi se ajo kishte bërë thirrje kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kishte shprehur qëndrime në mbështetje të figurave të lidhura me regjimin iranian. Rama e cilësoi praninë e saj në protestë si shqetësuese dhe pjesë të elementëve që, sipas tij, po deformojnë qëllimet e protestës qytetare.