... Nami.al

Rama publikon fotot: Në protestë kishte persona që predikojnë urrejtje dhe kërkojnë hakmarrje ndaj SHBA

Kryeministri Edi Rama këtë të enjte ka reaguar sërish në rrjetet sociale teksa ka folur për protestuesit. Rama shkruan se nuk merret me protestuesit por me përfituesit. Ai i ka cilësuar ‘përfituesit” si shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë dhe aktivistë të shtirur.

Ndër të tjera, Rama shkruan se ata e kthyen protestën në një ‘ujdhesë zvarranikësh’ teksa shton se sipas tij ata shpërndajnë tek të rinjtë protestues helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.

Kryeministri ka ndarë dy foto teksa shkruan se njëra prej tyre kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë të cilin e cilësoi si kasapin e regjimit të Teheranit. Ai shtoi se personi tjetër në foto është kryeshërbëtore e ajatollahëve.

“Mos u merr me protestuesit…  Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër  

Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë

Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruan Rama.