...
Marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëveshjet ndërqeveritare, projektet infrastrukturore me interes të përbashkët dhe mundësitë e reja në këtë mandat të dy qeverive, njoftohen të kenë qenë temat kryesore në takimin e kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë Albin Kurti dhe Edi Rama.
Në komunikatën e dërguar nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, njoftohet se Rama uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe për formimin e Qeverisë.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij dhe vullnetin e Qeverisë që drejton për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të qytetarëve dhe mbarë kombit.
Bashkëpunimi dhe marrëveshjet e deritanishme ndërshtetërore në pesë vitet e fundit kanë përfshirë njësimin e teksteve shkollore, projektet kulturore mbarëkombëtare, projektet infrastrukturore, si hekurudha Prishtinë-Durrës, lehtësimin e lëvizjes në zonat kufitare, njohjen e diplomave, pastaj bashkëpunimi në energji, siguri, sport, transport, turizëm dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftim.
Kryeministria e Kosovës nuk përmend në asnjë rresht, të jetë folur për fatin e krerëve të UÇK.
Kujtojmë që marrëdhëniet Rama-Kurti prej vitesh janë të tensionuara dhe takimet e tyre, përgjithësisht kanë qenë formale.
Para takimit me Kurtin, Rama është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.