... Nami.al

Sherr në një lokal në Korçë, i mituri plagos me thikë 34-vjeçarin

KORÇË – Një konflikt i ndodhur në një lokal në qytetin e Korçës ka përfunduar me përdorimin e thikës, duke lënë të plagosur një person.

Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i ngjarjes është një 17-vjeçar, ndërsa i plagosur ka mbetur një 34-vjeçar. Burime zyrtare bëjnë me dije se 34-vjeçari ka pësuar dëmtime në dorë nga mjeti prerës dhe ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se i plagosuri ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak ditë më parë, pasi prej vitesh jetonte dhe punonte në Greqi.

Paraprakisht dyshohet se shkak i konfliktit ka qenë një përplasje e mëparshme mes dy personave. Autori i mitur është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Korçë, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.