... Nami.al

Mbytet peshkarexha me emigrantë në Greqi, humbin jetën 17 persona

Greqia është përballur me një tjetër tragjedi njerëzore. Mbytja e një peshkarexhe në Kalamata të Greqisë ka sjellë vdekjen e 17 personave, deri më tani.

Media greke Protothema raporton se një peshkarexhë e nisur nga Libia u mbyt në ujërat ndërkombëtare që ndajnë Greqinë me Italinë, 47 milje në jug të gadishullit të Peleponezit në zonën më jugore të tij Pylos.

Ndërkohë që numri i viktimave pritet të rritet, një operacion i madh për gjetjen e rrënojave është duke u zhvilluar në zonë dhe deri tani numri i të shpëtuarëve ka arritur në 104. Ata do të dërgohen në portin e Kalamatës ku do t’ju ofrohet ndihma e parë.

Mësohet se fillimisht kapiteni i peshkarexhës kishte refuzuar të kërkonte ndihmë prej rojës bregdetare greke. Një varkë e Frontex iu ofroi ndihmë pasi anija ishte plot.

Megjithatë emigrantët në bordin e varkës thuhet se refuzuan ndihmën e ofruar pasi donin të vazhdonin udhëtimin për në Itali. Disa orë më vonë dhe në kushte të paqarta, anija u përmbys dhe u fundos pas mesnate.