...
Xhevdet Skëndaj, kalimtari i cili u plagos sot në atentatin në Sarandë, ku u ekzekutua Artan Myrtaj është nisur me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Raportohet se 73-vjeçari ka marrë një plagë me armë zjarri në gjymtyrët e poshtme.
Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, i moshuari do marrë mjekim më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ajo që e bën edhe më të rëndë rastin janë pamjet e ndara me dron, të cilat tregojnë se vrasja ndodhi pranë Komisariatit të Policisë së Sarandës, vetëm rreth 67 metra larg godinës.
Në pamjet dallohet godina e komisariatit, ndërsa vetëm pak metra më poshtë shihet vendi ku është kryer krimi.
Policia ka nisur një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa grupi hetimor po punon për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të zbardhur motivin e atentatit.
Pika kontrolli janë ngritur në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Mësohet se 44-vjeçari i njohur si “Tani Ruzhdiut”, sapo ishte ulur për kafe në një lokal pranë kryqëzimit te ish-agjencia e vjetër, kur dy autorët, që kishin ardhur nga rruga “Lefter Talo”, iu afruan me motor dhe qëlluan të paktën dy herë.
Myrtaj rezulton i arrestuar nga Policia e Sarandës në vitin 2025, për përkrahje të autorit, pas plagosjes së Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt, 32 dhe 24 vjeç.
Plagosja e dyfishtë ndodhi më 17 korrik të 2025, për një pronë në vijën bregdetare të Sarandës. Myrtaj u arrestua për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”.