...
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviç, ka reaguar për herë të parë në lidhje me sulmin në veri të Kosovës. Ai i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra”, tha Mojsilloviç në një konferencë për gazetarët në Beograd.
“I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina”, theksoi ai.
Kujtojmë se deklaratata për aneksimin e veriut të Kosovës u bënë fillimisht nga Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, të dielën.
Sakaq edhe kryeministri Kurti njoftoi këtë të hënë se dokumentet e gjetura në vendngjarje tregojnë për një plan të mirë-detajuar, ku pas sulmit terrorist do të hapej një korridor sigurie që do të lejonte futjen e trupave nga Serbia me qëllim aneksimin e Veriut.
Kujtojmë se plani i organizuar për destabilizimin e Kosovës, u zbulua më datë 24 shtator, ku pas një përplasjeje të armatosur mes policisë së Kosovës dhe terroristëve humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.
Më pas grupi i armatosur u tërhoq në manastirin e Basnjkës, ku pas një përplasje me policinë e Kosovës ndërruan jetë të paktën 3 prej tyre.
Policia e Kosovës ka vazhduar me operacionet e saja ku ka konfiskuar arsenal armësh në zonën ku ndodhi sulmi, duke përfshirë këtu: granatahedhës, antiplumb, karikator me fishekë, kapela ushtarake, dorëza, pushkë gjuetie, snjaper, radiolidhje.
Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist.
Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiç, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.