... Nami.al

Panik në koncertin e Don Toliver në Mançester, evakuohen mbi 12 mijë persona pas përhapjes së një substance të panjohur

Mbi 12 mijë persona u evakuuan mbrëmjen e së dielës, më 22 nëntor, nga arena Co-op Live në Mançester, në Mbretërinë e Bashkuar, pasi një substancë ende e paidentifikuar u përhap mes publikut nga fundi i koncertit të reperit amerikan Don Toliver. Ai ndodhej në Angli për etapën britanike të turneut të tij botëror “Octane World Tour”.

Sipas mediave britanike, më shumë se 50 spektatorë morën ndihmë në vendngjarje, disa prej tyre për shqetësime në sy dhe në rrugët e frymëmarrjes, ndërsa një person u dërgua në spital. Policia, e cila fillimisht foli për gaz lotsjellës, përdori në një njoftim të mëvonshëm shprehjen “substancë e panjohur”. Ajo ka hapur një hetim për të përcaktuar se për çfarë substance bëhet fjalë dhe kush e ka shpërndarë.

Alarmi u dha pak pas orës 22:00, kur disa persona nisën të ndiheshin keq. Në videot e publikuara në rrjetet sociale, spektatorët shihen duke u kollitur dhe duke mbuluar gojën teksa largohen nga arena. Policia e Mançesterit të Madh e shpalli ngjarjen “incident të rëndë”, duke aktivizuar procedurën që zbatohet në raste emergjencash të mëdha. Ajo mobilizoi ekipet e ndihmës, përfshirë një njësi të specializuar për ndërhyrje në zona të rrezikshme. Si masë paraprake, nisën edhe procedurat e dekontaminimit.

Shërbimi i ambulancës u bëri thirrje personave që ishin në koncert dhe që nuk u ndien mirë në orët pas tij, të konsultohen me një mjek. Drejtuesit e Co-op Live e përshkruan ngjarjen si një “incident mes publikut” dhe bënë të ditur se po bashkëpunojnë me policinë për të përcaktuar shkakun.

E inauguruar në maj të vitit 2024, Co-op Live është arena më e madhe e mbuluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe mund të presë deri në 23 500 spektatorë.