Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka përgëzuar studentët në Serbi për rrëzimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilin e cilëson si “makiavelist dhe populist”.
Veliaj, në mesazhin e tij, i cili qartazi lexohet edhe si një thumb ndaj Ramës, shkruan: “Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!”, duke e cilësuar protestën studentore si fundin e një bote politike.
“Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë ‘fundi i botës’, por fundi i ‘një bote’”, vijon ai, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe politikëbërësve të kuptojnë pritshmëritë e brezit të ri.
Veliaj përgëzon edhe shqiptarët në Serbi, duke iu referuar projeksioneve për rritjen e përfaqësimit të tyre nga një në dy mandate.
“Urime studentëve për rrëzimin e makiavelistit dhe populistit të Beogradit!
Lëvizjet dhe protestat studentore nuk janë “fundi i botës”, por fundi i “një bote”. Sa më shpejt ta kuptojmë këtë si qytetarë e politikëbërës, aq më mirë do të dimë t’u përgjigjemi nevojave dhe pritshmërive të kësaj gjenerate.
Urime të përzemërta edhe shqiptarëve tanë në Serbi, të cilët, sipas projeksionit aktual, e rrisin përfaqësimin e tyre nga një në dy mandate. Një zë më i fortë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi!”, shkruan Veliaj.
