Policia e Shtetit ka nxjerrë një shkresë urgjente drejtuar komisariateve të Tiranës dhe strukturave policore në Krujë, ku kërkon marrjen e masave për garantimin e të drejtave të të miturve të përfshirë në procedurat policore, në kuadër të protestave të fundit studentore.
Në dokumentin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, drejtuar komisariateve nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7, kërkohet zbatimi i detyrimeve të përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe në aktet e tjera ligjore në fuqi.
Një ndër kërkesat është identifikimi i qartë i punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës, përmes numrit identifikues, si dhe identifikimi i automjeteve policore gjatë operacioneve.
Shkresa thekson gjithashtu nevojën për bashkëpunim me strukturat përkatëse për menaxhimin e rasteve që përfshijnë të mitur, me qëllim shmangien e mbajtjes së tyre për periudha të panevojshme dhe respektimin e kufijve të përcaktuar nga ligji.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me kontrollin e telefonave celularë. Sipas udhëzimeve, policia nuk duhet të kontrollojë telefonat pa urdhër gjyqësor, ndërsa çdo kërkesë për përgjime duhet të mbështetet në bazën ligjore përkatëse.
Për çdo të mitur kërkohet të garantohet prania e prindit ose kujdestarit ligjor dhe e psikologut. Po ashtu, përpara se të nisë marrja në pyetje, duhet të plotësohet formulari për të drejtat e të miturit, ndërsa për këto raste duhet të mbahet një regjistër i veçantë.
Dokumenti u kërkon strukturave policore të njohin dhe zbatojnë aktet ligjore që rregullojnë përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës. Gjithashtu, theksohet detyrimi për plotësimin e regjistrave të shoqërimit me të gjitha të dhënat e nevojshme.
Në përfundim, drejtuesit e Policisë së Shtetit kërkojnë zbatimin korrekt të të gjitha masave të përcaktuara në shkresë, në mënyrë që procedurat policore gjatë protestave të zhvillohen në përputhje me legjislacionin dhe me garancitë ligjore për mbrojtjen e të miturve.
