... Nami.al

Protesta e dhunshme e së shtunës në Tiranë, 23 të arrestuar dhe 30 të shpallur në kërkim (EMRAT)

Policia ka arrestuar 23 persona pas protestës së dhunshme të ditës së djeshme, ndërkohë 30 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa kanë nisur hetimet edhe për 13 persona të tjerë.

Në pranga ranë shtetasit Jul Budi, Lorenc Bezati, Dritan Zhilla, Xhuljano Minga, Mariglen Selimi, Klesti Fetiu, Valentini Lamce, Erti Zhilla, Xhulio Meçani, Arbër Elezi, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxheç, Mario Shitka, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Omer Ademi, Jurgen Ziaj, Rezart Vozga, Vesjon Arifi, Enrik xhemalaj dhe Ramazan Dauti.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë tubimit në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë u sulmuan me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.

Si pasojë e incidenteve, disa efektivë policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, janë arrestuar 23 shtetas, të moshave nga 18 deri në 54 vjeç, ndërsa 13 persona të tjerë janë vënë nën procedim penal.

Gjithashtu, 30 shtetas janë shpallur në kërkim, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarjet e protestës.

Policia bën me dije se hetimet kanë për qëllim dokumentimin e plotë të incidenteve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në kundërshtimin dhe goditjen e punonjësve të Policisë, si dhe në dëmtimin e godinave të institucioneve shtetërore. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 23 shtetas, procedohen penalisht 13 të tjerë dhe shpallen në kërkim 30 shtetas.

Gjatë protestës së djeshme, të zhvilluar në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla. Si pasojë e sulmeve nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, disa punonjës Policie u plagosën dhe morën ndihmën mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:

-U arrestuan shtetasit J. B., 54 vjeç, L. B., 48 vjeç, D. Zh., 36 vjeç, Xh. M., 27 vjeç, M. S., 38 vjeç, K. F., 25 vjeç, V. L., 29 vjeç, E. Zh., 34 vjeç, Xh. M., 30 vjeç, A. E., 38 vjeç, R. K., 23 vjeç, E. N., 26 vjeç, M. Sh., 33 vjeç, R. H., 27 vjeç, B. O., 18 vjeç, E. N., 28 vjeç, L. N., 25 vjeç, O. A., 19 vjeç, J. Z., 35 vjeç, R. V., 31 vjeç, V. A., 20 vjeç, E. Xh., 39 vjeç dhe R. D., 31 vjeç;

-Ndërkohë u proceduan penalisht 13 shtetas;

-Si dhe u shpallën në kërkim 30 shtetas.

Policia vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.