... Nami.al

Me thikë në dorë, i grabiti çantën turistes gjermane te Liqeni Artificial, arrestohet ‘skifteri’!

Një shtetase gjermane 50-vjeçare është kërcënuar sot me thikë dhe i është grabitur çanta me sende personale pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

Gruaja denoncoi rastin në polici, e cila u vu në lëvizje duke identifikuar dhe arrestuar  një 41 vjeçar me inicialet J.S, banues në kryeqytet. Sendet e vjedhura u gjetën dhe iu kthyen 50-vjeçares.

Një ditë pas ngjarjes, gruaja, e identifikuar me inicialet T. K., shkoi në Komisariatin e Policisë Nr. 1 për të falënderuar efektivët për reagimin dhe kthimin e sendeve të saj.

Njoftimi i Policisë:

I vodhi me dhunë çantën me sende personale, një shtetaseje gjermane, duke e kanosur me thikë, te Liqeni Artificial, identifikohet dhe arrestohet në kohë rekord 41-vjeçari.

Një ditë pasi iu vodh me dhunë çanta me sende personale, nën kërcënimin e thikës, te Liqeni Artificial, shtetasja gjermane T. K., 50 vjeçe, është paraqitur pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, për të falënderuar efektivët që u angazhuan për zbardhjen e rastit.

Duke vlerësuar reagimin e shpejtë të Policisë, identifikimin dhe arrestimin në kohë rekord të autorit të dyshuar, si dhe gjetjen e sendeve të saj personale, shtetasja gjermane ka shprehur mirënjohjen e saj për punën dhe profesionalizmin e efektivëve të Policisë së Komisariatit Nr. 1.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen me dhunë, organizuan operacionin policor të koduar “Reaction”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas dyshohet se i ka vjedhur me dhunë çantën me sende personale shtetases gjermane, duke e kanosur me thikë.

Sendet e vjedhura janë gjetur dhe i janë dorëzuar 50-vjeçares.