... Nami.al

Kushtetuesja e Kosovës rrëzon PDK-në: Votimi i Qeverisë i rregullt!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar përtej afatit 30-ditor, por megjithatë deputetët duhet të zgjedhin nënkryetarin e dytë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në njoftim për mediat Kushtetuesja thotë se Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën. Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Njoftimi i Kushtetueses vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës, përmes dy kërkesave, kontestoi konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e ekzekutivit. Kushtetuesja po ashtu rrëzoi kërkesën e PDK-së për vendosjen e masës së përkohshme për punimet e Kuvendit.

Më 13 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit.

Vendimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 23 shtator 2026, vendosi lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit nr. 11-V-002, të 9 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit; Vendimit procedural të 11 shtatorit 2026 për mënyrën e votimit të nënkryetarëve; dhe konstatimit të 13 shtatorit 2026 për konstituimin e legjislaturës XI të Kuvendit”, si dhe “Vendimit Nr. 11-V-007, të 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, të parashtruar nga: KO256/26, Arian Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës; dhe KO258/26, Arian Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, vendosi:

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

III. TË KONSTATOJË që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i Presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [Zgjedhja e Presidentit], 95 [Zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

IV. TË KONSTATOJË që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

V. TË KONSTATOJË që Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

VI. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;

VII. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;

VIII. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

IX. TË PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

X. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.