... Nami.al

Rusia shpall fitoren rekord të partisë së Putinit!

Zyrtarët në Moskë kanë njoftuar një fitore të re rekorde për partinë Rusia e Bashkuar, të presidentit Vladimir Putin, në atë që Bashkimi Evropian i cilësoi si “zgjedhje farsë” më 21 shtator.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Rusia e Bashkuar mori gati 58 për qind të votave, duke fituar 355 nga 450 ulëset në Dumën Shtetërore, në zgjedhjet e para për këtë institucion që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Në një proces të menaxhuar në mënyrë të rreptë më 18-20 shtator, votuesit mund të zgjidhnin mes disa partive që të gjitha janë të miratuara nga Kremlini dhe mbështesin plotësisht Putinin. Rezultatet treguan se dhjetëra veteranë ushtarakë të luftës në Ukrainë tani do të jenë deputetë.

E vetmja parti që kundërshton luftën në Ukrainë, Yabloko, u përjashtua nga zgjedhjet. Lideri i saj, Nikolai Rybakov, shkroi “për paqe” në fletën e votimit me një marker të ndritshëm dhe pozoi me të për fotografët në një qendër votimi në Shën Petersburg.

“Goditje për demokracinë ruse”

Pjesa më e madhe e opozitës politike të Rusisë tani ndodhet në burg ose në mërgim. Dmitry Gudkov, i cili bën pjesë në grupin e dytë, i tha Current Time se “nuk lejuan askënd [nga opozita] të kandidonte, dëbuan vëzhguesit zgjedhorë, kishte qartazi falsifikim të gjerë të votave”.

Gudkov është anëtar i Russian Democratic Forces, një grup opozitar në mërgim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Ai tha se besonte se së shpejti ajo do t’i shpallte zgjedhjet për Dumën të paligjshme.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tashmë i ka cilësuar ato si të tilla, duke vënë në dukje, ndër të tjera, se votimi u zhvillua edhe në zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

“Zgjedhjet e ashtuquajtura për Dumën shënuan një tjetër goditje të madhe për demokracinë ruse”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale më 21 shtator. “Fasada e demokracisë është e vetmja gjë që ka mbetur në Rusi. Kam propozuar masa kundër atyre që mundësojnë këto zgjedhje farsë në territoret e pushtuara ukrainase.”

Pjesëmarrja u raportua në 59.32 për qind, një rritje krahasuar me vitet e mëparshme, të cilën kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Ella Pamfilova, e vuri në pah.

Herën e fundit, në vitin 2021, pjesëmarrja ishte 51.7 për qind, ndërsa në vitin 2011 – kur akuzat për mashtrim zgjedhor çuan në protesta të mëdha të opozitës në Moskë, të cilat u shtypën brutalisht nga forcat e sigurisë – shifra ishte 60.2 për qind.

Megjithatë, besueshmëria e shifrave zyrtare është vënë gjerësisht në pikëpyetje, ndërsa shembuj si Çeçenia – ku udhëheqësi i kahershëm i rajonit, Ramzan Kadyrov, u raportua se kishte marrë 99.85 për qind të votave – shihen si veçanërisht të dukshëm.

“Në Çeçeni, nuk bëhet fjalë as për falsifikim masiv. Askush nuk i numëron fare votat”, i tha Current Time Maksim Glikin, kryeredaktor i botimit në mërgim Mozhem Obyasnit. “Ata thjesht i shkruajnë shifrat e kërkuara dhe i publikojnë.”

Në çdo rast, zgjedhjet kanë prodhuar sërish një Dumë që do të miratojë mekanikisht legjislacionin e paraqitur nga Kremlini – siç pritej në përgjithësi. Vëmendja tani rikthehet te lufta në Ukrainë.

Në javët para zgjedhjeve, kishte spekulime të gjera se ato do të pasoheshin nga një valë e re mobilizimi, për të shtuar radhët e ushtrisë, e cila raportohet se pëson rreth 30.000 humbje çdo muaj.

“Inteligjenca ukrainase ka paralajmëruar se Kremlini planifikon t’i përdorë zgjedhjet parlamentare si një shfaqje të menaxhuar të mbështetjes publike për të nisur një valë të re mobilizimi”, i tha REL-it Dominika Hajdu, drejtoreshë për politikat dhe programet në GLOBSEC, një institut kërkimor.

“Mobilizimi do ta ndihmonte Rusinë të ruante presionin e ofensivës, duke pasur parasysh gatishmërinë e saj për të përballuar humbje të mëdha, por ndikimi i tij në fushëbetejë ka të ngjarë të jetë i kufizuar, pasi luftimet e fundit janë përcaktuar kryesisht nga dronët dhe kapacitetet e sulmeve ajrore, dhe jo vetëm nga numri i trupave”, shtoi ajo.

Luftimet vazhduan me sulme ruse ndaj një universiteti, një qendre tregtare dhe objekteve të tjera, duke plagosur gjashtë persona në Zaporizhia, sipas shërbimeve ukrainase të emergjencave më 21 shtator.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia ishte e gatshme të rihapte bisedimet trilaterale të paqes, por se “ne po vazhdojmë operacionin special ushtarak” – termi i preferuar që përdorin zyrtarët për të përshkruar pushtimin.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha vonë më 20 shtator se kishte biseduar me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe se të dy do të takoheshin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se takimi “mund të ndryshojë shumë gjëra” dhe se ai dhe Trump “kanë kaluar shumë gjëra së bashku” gjatë diskutimit të tyre./rel