... Nami.al

“Ke liruar nga burgu vëllain e Suel Çelës” – Gjykata e Posaçme pushon padinë e Ballës ndaj Berishës

Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të hënë të pushojë një padi të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kundër ish-kryeministrit Sali Berisha. Ajo lidhet me një mesazh “të qytetarit dixhital” që Berisha publikoi në prill 2026.

Bëhet fjalë për një mesazh në të cilin akuzohej Taulant Balla se kishte liruar nga burgu i Peqinit, Mario Çelën, vëllain e Suel Çelës, i cili konsiderohet si kreu i një grupi kriminal mjaft të rrezikshëm në Elbasan.

Sali Berisha duke iu referuar një “mesazhi nga qytetari dixhital”, shkruante se “Balla ka nxjerrë nga burgu i Peqinit vrasësin e rrezikshëm Mario Çela dhe e ka dërguar në një dhomë urgjence në spitalin e Elbasanit”.

Menjëherë, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka paditur kryedemokratin për akuzat e “Fyerjes” dhe “Shpifjes te kryer botërisht”, parashikuar nga neni 119/2 dhe 120/2 i Kodit Penal. Por sot, Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë këtë çështje.

Vendimi i Gjykatës

Viktima akuzuese Taulant Balla më datë 16.04.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Deklarimin fajtor të të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen e kundërvajtjeve penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”, të kryera botërisht në dëm të viktimës akuzuese Taulant Balla, parashikuar nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Besmir Stroka, me vendimin nr. 67, datë 21.09.2026, vendosi:

Pushimin e gjykimit të çështjes Nr.Regj.111, datë regjistrimi 16.04.2026, me viktimë akuzuese Taulant Balla, i akuzuar Sali Berisha.

Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të viktimës akuzuese.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posa?me të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.