... Nami.al

Rama takon diasporën në SHBA, premton konsullatë shqiptare në Michigan: Shqipëria nuk është më një vend mbijetese

Ashtu siç u paralajmërua, Kryeministri Edi Rama e zhvilloi takimin me komunitetin e diasporës shqiptare të Michiganit, teksa ndodhet në New York, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Lajmi kryesor për bashkatdhetarët në Michigan ishte njoftimi për hapjen e afërt të një konsullate të re shqiptare në këtë shtet. Rama theksoi se roli i emigracionit ka pësuar një transformim të thellë krahas zhvillimit të vendit.

“Tani ju në Shqipëri nuk dërgoni më para për bukë apo për ilaçe, për mbijetesë. 90 për qind e familjeve kanë përfituar këto 35 vjet së paku një herë nga diaspora shqiptare. Tani ne nuk jemi një vend mbijetese, por një vend shprese.”, shprehet Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa theksoi se janë institucionet e Prishtinës ato që duhet të përcaktojnë strategjinë për të zhbërë vendimin e marrë ndaj katër ish-udhëheqësve.

“Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave.“, shton më tej kryeministri.
Sa i përket rrugëtimit drejt Bashkimit Europian, Rama deklaroi se Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre, me synimin që procesi të përfundojë plotësisht brenda vitit 2030.
“Tani kemi një strategji më të gjerë të Shqipërisë 2030, e cila e ka në qendër të vëmendjes diasporën. Ne po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, që do të jetë një dritare unike për t’u lidhur me Shqipërinë“, përfundon kreu i qeverisë.

Aktiviteti, i cili u përmbyll në një atmosferë festive, me një dhuratë simbolike nga fëmijët e shkollës shqipe të veshur me kostume kombëtare.