...
Pas ngjarjes së rëndë ku 44-vjeçari Artan Myrtaj është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta dhe një person i rastësishëm, mbeti i plagosur si pasojë të shtënave me armë zjarri, kryepolici Skënder Hita mbërrin në Sarandë.
Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, si dhe një skanim tërësor të situatës operative, nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te konfliktet më të vogla, identifikimin e personave me precedent, si dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës.
Ai kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara.
“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara.
Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, tha ai.
Në lidhje me ngjarjen, po ushtrohen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme në zonën e Sarandës dhe Delvinës, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit
44-vjeçari Artan Myrtaj, u ekzekutua këtë të diel në qendër të qytetit të Sarandës, teksa ishte i shoqëruar nga nëna e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën pranë ish-agjencisë së vjetër, ku dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra, dyshohet se iu afruan 44-vjeçarit dhe hapën zjarr në drejtim të tij. Myrtaj u qëllua disa herë dhe mbeti i plagosur rëndë, ndërsa për shkak të plagëve të marra humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si Xhevdet Skëndaj, i cili ndodhej pranë vendit ku u krye atentati.