... Nami.al

Vrau me thikë bashkëshorten në sy të nipërve dhe dhëndrit, arrestohet Hysni Patushi

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën paraditen e sotme, ku një 68-vjeçar ka vrarë me thikë bashkëshorten e tij 58-vjeçare dhe u arratis.

Policia bën me dije se ka arrestuar Hysni Patushin, 68 vjeç, në zonën e Kamzës.

“Vrau me mjet prerës bashkëshorten, vihet në pranga 68-vjeçari. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, bëjmë me dije se, shtetasi H. P., 68 vjeç, i dyshuar se ka goditur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen L. P., 58 vjeçe, e cila si pasojë ka humbur jetën, është lokalizuar dhe vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.

Sipas raportimeve, ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit, ndërsa në momentin e krimit në shtëpi ndodheshin edhe dy të mitur, nipër të çiftit, si dhe dhëndri i tyre, i cili jetonte në banesën e vjehrrit.

Mësohet se goditja me thikë ka qenë fatale për 58-vjeçaren Lumturie Patushi, e cila ka ndërruar jetë.

Sipas të dhënave paraprake, çifti kishte pasur probleme edhe më herët. Dy të miturit dhe dhëndri janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, në përpjekje për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.