...
Arrestohen 4 persona në Tiranë për prostitucion në apartamente me qira ditore, mes tyre 3 shtetase të huaja dhe një shqiptar.
Policia ka goditur tre raste të dyshuara të prostitucionit të reklamuar përmes rrjeteve sociale, në kuadër të fazës së dytë të operacionit të koduar “Last Post”.
Mes të arrestuarve janë dy shtetase vietnameze, një shtetase braziliane dhe një shtetas shqiptar, Ervin Hysolli, i cili dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion njërën prej shtetaseve vietnameze.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar 4 celularë, që dyshohet se përdoreshin për reklamimin e kësaj veprimtarie në rrjetet sociale.
Sipas policisë, shtetaset e huaja dyshohet se kishin përshtatur apartamente të marra me qira ditore për ushtrimin e prostitucionit në rrugët “Xhoxhi Martini”, “Milan Shuflaj” dhe “Him Kolli”.
Në kuadër të hetimeve, një tjetër shtetas po procedohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se përfitonte nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.