...
Presidenti amerikan Donald Trump postoi në rrjetet sociale një foto që shkaktoi reagime të ashpra.
Fotoja ishte një hartë e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Meksikës, Karaibeve, Groenlandës dhe Islandës, të gjitha të mbuluara nga flamuri amerikan me mbishkrimin “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Trump e postoi imazhin në platformën e tij Truth Social pa shpjegime.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum reagoi pas postimit dhe tha se Meksika “nuk është dhe nuk do të jetë koloni apo protektorat” i ndonjë vendi të huaj.
Sheinbaum theksoi se Meksika është një vend i lirë, i pavarur dhe sovran.
Ndërkohë Islanda thirri ambasadorin e Shteteve të Bashkuara per shpjegime, pas imazhit që tregonte ishullin dhe vendet e tjera të mbuluara nga flamuri amerikan.
Ministri i Jashtëm i Islandës, thirri ambasadorin amerikan në Islandë Billy Long, i cili zyrtarisht e mori postin vetëm muajin e kaluar, raportuan mediat islandeze.
Ministria e jashtme islandeze tha se shprehu qartë pozicionin e saj se “postimi ishte plotësisht i papërshtatshëm”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur disa herë pasi filloi mandatin e tij të dytë se Kanadaja duhet të jetë një shtet amerikan, ndërsa ka kërkuar që Groenlanda të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë përfshirja e Islandës dhe disa vendeve të Karaibeve në një hartë me flamurin amerikan, është një zhvillim i ri, që ka sjellë reagime të ashpra nga këto vende.