... Nami.al

“Saliu, sekretari i vetëm i partisë, ta gëzoni”/ Balla-demokratëve: Berisha, i vetmi që frymëzon dhunën!

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, duke i akuzuar se po nxisin dhunën dhe se kanë braktisur angazhimin për integrimin europian të Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij, Balla ironizoi deklaratat e Tomorr Alizotit për sekretarët e Partisë së Punës, duke iu drejtuar opozitës se i vetmi sekretar i asaj partie është kreu i saj, Sali Berisha.

“E dëgjuam me vëmendje nënkryetarin e grupit të PD-së, i cili në fund përmendi edhe sekretarët e Partisë së Punës. I vetmi sekretar i Partisë së Punës është kreu i partisë tënde. Ta gëzoni, ta mbash me shëndet. Sekretarët e partisë mos i shihni nga ne. PS e ka dënuar diktaturën më 12 qershor 1991”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se socialistët janë të angazhuar prej vitesh në procesin e integrimit europian dhe ftoi edhe opozitën të bëhet pjesë e këtij projekti, duke përmendur mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit me praninë e komisioneres europiane Marta Kos. Balla kritikoi PD-në për mungesën e mbështetjes ndaj nismave ligjore që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe përmbushjen e reformave të kërkuara.

“Është dita që edhe PD të punojë me ne për këtë projekt historik. Jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i Integrimit, me praninë e Marta Kos, dhe mesazhi i përbashkët i forcave politike duhet të jetë puna e të gjithëve për të çuar përpara këtë program”, u shpreh ai.
Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi opozitën se po përdor retorikën e dhunës në vend të angazhimit politik, duke deklaruar se sipas tij, Sali Berisha është personi që frymëzon dhunën në Shqipëri.

“Ende PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat e përafrimit të legjislacionit me BE-në dhe përmbushjen e reformave. Koha është tani që të lëmë pas diskutimet pa vlerë, retorikën pa vlerë dhe dhunën. Qytetarët shqiptarë nuk i merrni dot për budallenj. Dhunën në rrugë kundër institucioneve, në 35 vite, e frymëzon në Shqipëri vetëm një njeri. Është sekretari i Partisë së Punës brenda jush. Distancohuni nga dhuna”, deklaroi Balla.
Në përfundim, ai përdori një tjetër gjuhë të ashpër ndaj demokratëve, duke e cilësuar PD-në si një strukturë që, sipas tij, është kthyer në një qendër prodhimi të mjeteve piroteknike të përdorura në protesta.

“PD është sot e vetmja magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh. Ligjin për tubimet, qëndrimin tonë do ta dëgjoni, por sot është ditë e madhe për Shqipërinë, votohet buxheti më i madh ndonjëherë, gjithë veshët e shqiptarëve janë aty.”, përfundoi Balla.