... Nami.al

“Vdekja të pret”, alarme për bomba në qindra shkolla të Gjermanisë, kërcënime edhe në Danimarkë

Rreth 450 shkolla në të gjithë Gjermaninë dyshohet se kanë marrë këtë mëngjes kërcënime për vendosjen e bombave.

Lajmi raportohet nga gazeta gjermane “Bild”. “Vdekja të pret”, thuhet në mesazhin e dërguar përmes emailit në adresat e institucioneve arsimore. Numri i saktë i shkollave të prekura nuk është konfirmuar ende, thekson tabloidi.

Sipas policisë rajonale të Erfurtit, kërcënimet për bomba janë raportuar në shkolla në qytetet Jena, Erfurt, Nordhausen, Gotha, Rudolstadt dhe Graz, në landin e Turingisë. Edhe rajone të tjera janë prekur, përfshirë Saksoninë e Ulët, konfirmoi policia e Hanoverit për agjencinë e lajmeve DPA.

Shkollat janë udhëzuar të kontaktojnë policinë dhe të raportojnë kërcënimet.

Edhe në Danimarkë janë regjistruar kërcënime të ngjashme. Sipas raportimeve të mediave daneze, shumë shkolla kanë marrë email-e me kërcënime për sulme me bomba, ndërsa policia vlerëson se ato janë të pabazuara.

Në një njoftim, policia e Kopenhagës deklaroi se e kupton shqetësimin e shkaktuar nga këto mesazhe dhe se është në kontakt me bashkitë dhe disa institucione arsimore. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për të zbuluar origjinën e tyre.

Njoftimet për kërcënimet kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit në disa drejtori policie në të gjithë vendin. Mes shkollave të prekura janë ato në ishullin Bornholm, në Detin Baltik, në ishullin Fyn dhe në gadishullin e Jutlandës, veçanërisht në qytetin Herning.

Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga mediat lokale, mesazhet e dërguara në Danimarkë duket se ndjekin të njëjtën skemë të alarmimeve të rreme dhe të automatizuara, me origjinë nga jashtë vendit, që në të njëjtat orë kanë prekur qindra shkolla në Gjermani.

Në fillim të nëntorit, kërcënime të ngjashme kishin prekur edhe fluturimet ajrore në Danimarkë