Ish-zëvendës kryeministrja Belinda Balluku dhe avokati i saj Ardian Kalia janë paraqitur mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:30 në SPAK.
Balluku është thirrur në SPAK që t’i komunikohet mbyllja e hetimeve. Së shpejti dosja do të transferohet në Gjykatën e Posaçme.
Mbi ish-zv.kryeministren rëndojnë 5 akuza për 15 krime të kryera.
Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të kryer në nëntë raste; “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”; “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive dhe interesave privatë”, të kryer dy herë; si dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, në rrethana cilësuese, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
