... Nami.al

U plagos gjatë protestës, aktivistja Eva Pango del nga spitali me një thirrje për protestuesit

Aktivistja Eva Pango ka lënë Spitalin e Traumës në Tiranë, ku qëndroi e shtruar pasi u plagos në fytyrë nga një predhë gazi lotsjellës gjatë protestës së 15 tetorit në kryeqytet.

Pas daljes nga spitali, Pango ka përcjellë një mesazh për qytetarët dhe protestuesit, duke u shprehur se ngjarja e rëndë që përjetoi nuk ia ka zbehur vendosmërinë për të vijuar angazhimin e saj.

Aktivistja ka falënderuar personelin mjekësor për kujdesin e treguar gjatë qëndrimit në spital, ndërsa ka theksuar se përvoja e vështirë e ka bërë edhe më të motivuar.

“Ju përshëndes të gjithëve nga Spitali i Traumës në Tiranë, ku po largohem me përshtypjet më të mira, jo për eksperiencën që kalova unë, që mos e kaloftë njeri, por për kujdesin që pata”, është shprehur Pango.

Ajo ka shtuar se përvoja të tilla duhet t’i bëjnë njerëzit më të fortë dhe më të vendosur, duke deklaruar se nga spitali po del më e motivuar sesa në momentin kur u shtrua.

Në fund të mesazhit, aktivistja ka kënduar edhe thirrjen “Është e jona Shqipëria!”, duke përcjellë mbështetjen e saj për protestuesit.

Eva Pango mbeti e plagosur më 15 tetor, gjatë protestës së studentëve dhe të rinjve në Tiranë, kur u raportua se u godit nga një predhë gazi lotsjellës e përdorur nga forcat e policisë për shpërndarjen e demonstruesve.