... Nami.al

“I kemi dyqanet plot, por xhepat bosh”, Berisha nga Korça: Rama, njeriu më i urryer në histori, boshatisi Shqipërinë

Kryetari i PD-së Sali Berisha ndodhet në Korçë, ku po mban Foltoren e Ripërtëritjes së Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, kryedemokrati theksoi se Rama është sot njeriu më i urryer i kombit në histori. Berisha theksoi se Rama e ka boshatisur Shqipërinë, sepse rinia dhe qytetarët nuk kanë më shpresa.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Korçës, të pranishëm në këtë sallë, në qytet, në fshatra, në këtë qark dhe kudo që jeni sot, përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh për ju, shpirtin tuaj liridashës, shpirtin tuaj punëtor, virtytet tuaja.

Të dashur miq, sot vij këtu në takimin e shtatë pas 15 tetorit të vitit 2021. Atëherë kam ardhur në një foltore, në të cilën ne u betuam për të shpëtuar opozitën. Dashuria për Korçën, dashuria për Shqipërinë na ftonte ne që të qëndronim që Shqipëria dhe Korça të kishin një opozitë të vërtetë.

Në këto vite ne kaluam, të themi një lloj kalvari, por ne nuk u mposhtëm. Jo se ne jemi të mbinatyrshëm, jo, por se kauzat që ne mbronim ishin kauza të drejta, ishin kauza frymëzuese.

Ndaj dhe ne sot nuk mblidhemi më për çështjet tona, por ne sot mblidhemi këtu në këtë Foltore të Ripërtëritjes për çështje të qytetarëve të Korçës dhe mbarë Shqipërisë.

PD dhe opozita kapërceu betejat e veta, por ato nuk ishin qëllim në vetvete. Ato kishin një qëllim, një opozitë të vërtetë, e cila të shndërrohej në lokomotivë të forcës së forcave opozitare dhe shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim.

Ndaj dhe kjo Foltore e Ripërtëritjes është një apel, është një kushtrim për çdo qytetar, për të gjithë Korçën në këmbë.

Për çdo pogradecar dhe Pogradecin në këmbë. Për Kolonjën dhe kolonjarët në këmbë. Për Devollin dhe devollinjtë në këmbë.

Sot, të gjithë në këmbë drejt fitores tonë, drejt shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim antishqiptar.

Nga ky regjim, i cili ka dëmtuar qenien tonë si shqiptarë në themel më shumë se çdo pushtim tjetër në shekuj e shekuj.

Ky regjim ka pakësuar në mënyrën më dramatike qenien tonë.

Sot në Korçë, sot në Shqipëri lindin fëmijë aq sa ç’lindnin 100 vite më parë kur Shqipëria në territorin e saj kishte gjithsej 1 milion banorë.

Sot në 1 mijë shqiptarë rezidentë në Shqipëri, 466 janë të regjistruar në BE. Po të shtojmë këtu ata që jetojnë në vendet e tjera jashtë BE, u garantoj se mbi 60 përqind e kombit nuk ndodhet më në Shqipëri.

Asnjë komb, në asnjë luftë, në asnjë epidemi, në asnjë fatkeqësi, nuk ka pasur në 10 vite një pakësim si ky që kemi sot. Sot Edi Rama është bërë njeriu më i urryer i kombit në histori.

8 mijë kilometra nga Tirana dhe shqiptarët e gjuajnë me vezë e domate. U lumtë”, tha Berisha.

Më tej, kreu i PD-së nënvizoi se kryeministri Rama shpërdoron taksat e shqiptarëve, teksa pronotoi hotelin me 15 mijë euro natën në SHBA.

Nënvizoi se çmimet në dyqan në Strasburg ishin barazim ose dy herë më të ulëta se këtu.

“Isha në Strasburg, ishin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u futa për kuriozitet në një market, absolutisht të gjithë çmimet që të gjitha ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu.

Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne kemi ardhur në një kohë shumë të vështirë, në një kohë në të cilën nuk jemi si në vitin 1990, kur dyqanet i kishim bosh, por rrogat i kishim në xhep aq sa ishin.

Sot i kemi xhepat bosh, dyqanet plot, por nuk i blejmë dot. Kjo është varfëria, e cila ka vetëm një shkak: vjedhjen e papërbajtur të taksave dhe pasurive publike të Korçës dhe gjithë Shqipërisë.

Edi Rama prenoton hotelin me 15 mijë euro natën.

A e dini ju që sarajet e tij, të cilët i kanë themelet dy herë sa vila e Enverit, i ka ndërtuar kur ka pasur gjithsej 3800 euro të deklaruara dhe 400 mijë lekë. Por kompania që ndërtoi sarajet, ka marrë me dhjetëra tendera nga qeveria”, u shpreh Berisha.