... Nami.al

Rama në Miçigan: Flamingoja doli nga laguna dhe pushtoi bulevardin, vulosi një qasje të re të shoqërisë shqiptare

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Michigan, ka komentuar protestat e zhvilluara në Shqipëri për çështjen e Zvërnecit, duke u ndalur te simbolika e flamingos dhe vëmendja që ajo mori gjatë kësaj vere.

Rama u shpreh se flamingoja u kthye në figurën më popullore të Shqipërisë, duke dalë nga laguna e Zvërnecit dhe duke pushtuar Tiranën, ekranet dhe hapësirat digjitale, deri në marrjen e vëmendjes ndërkombëtare.

Sipas kryeministrit, përtej debatit për natyrën, zhvillimin dhe turizmin, si dhe asaj që ai e cilësoi si “trumpizëm”, manifestimi i qershorit shënoi një ndryshim në qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj problematikave mjedisore dhe qytetare.

“Këtë verë flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë, doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin, ekranet, pasqyrat digjitale,  dhe mori vëmendje në të katërt anën e globit. Askujt s’do i kishte shkuar në mendja deri jo shumë vite më parë se si një shpend aq i hijshëm, i brishtë dhe i urtë, do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debate shumëplanësh për natyrën, për zhvillimin, për turizmin, për trumpizmin. Përtej këtij të fundit që për hir të së të vërtetës e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka shumë domethënëse në manifestim, në qytetarët e protestës së qershorit, që tërhoqi jo vetëm vëmendjen, por edhe mbështetjen e shumëkujt në diasporë. Deri dje gjallesat masakroheshin dhe askush nuk pipëtinte. Deri dje Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe bota as nuk e shihte, dhe shqiptarët as mund ta shihnin, sepse jeta zhvillohej me idenë që ka edhe më keq. Shqiptarët kanë nisur të jetojnë me idenë që ka edhe më mirë. Këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim”.