...
Kryeministri serb Duro Macut i ka propozuar këtë të hënë presidentit Aleksandër Vuçiç shpërndarjen e qeverisë dhe kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Gjatë fjalës së tij, Macut tha se zgjedhjet nuk janë dobësi e shtetit, por sipas tij janë një provë e forcës së pathyeshme të një Serbie demokratike. Më tej ai deklaroi se zgjedhjet janë një mundësi për të forcuar institucionet, për të ulur tensionet, për të hedhur poshtë politikën e ekskluzivitetit dhe për të rikthyer luftën politike nga rrugët në institucione.
“Zgjedhjet nuk kanë qenë kurrë shenjë e dobësisë së shtetit. Zgjedhjet janë provë e forcës së pathyeshme të një Serbie demokratike që i beson popullit të saj pa rezerva. Dhe ne u besojmë qytetarëve të Serbisë, ne besojmë në një Serbi të bashkuar.
Prandaj, unë propozoj që Qeveria e Republikës së Serbisë, në përputhje me Kushtetutën, t’i propozojë Presidentit të Republikës të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe të thërrasë zgjedhjet për anëtarët e parlamentit”, tha Macut, sipas RTS.
Macut tha se deri në zgjedhjen e ministrave të rinj, qeveria aktuale do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj me të njëjtën energji, përgjegjësi dhe ritëm, si dhe të arrijë qëllimet e përcaktuara dhe të kontribuojë në përparimin e mëtejshëm të Serbisë.
“Sepse mandati ka fundin e tij, por përgjegjësia ndaj shtetit vazhdon çdo ditë. Jam i bindur se kjo qeveri do të vazhdojë në rrugën që ka përcaktuar në të ardhmen”, theksoi Macut.
Propozimi për shpërndarjen e Kuvendit në Serbi është një procedurë që duhet të përfundojë në mënyrë që të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi më parë se do të shpallte datën e zgjedhjeve parlamentare jo më vonë se 9 ose 10 shtatori dhe se ato do të mbaheshin më 18 ose 25 tetor. Presidenti duhet të nxjerrë një dekret për shpërndarjen e parlamentit brenda 72 orëve.
Po ashtu, referuar mediave vendase, Aleksandar Vuçiç pritet që të largohet nga detyra e Presidentit dhe pritet që të garojë për Kryeministër.