... Nami.al

Operacion riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Ministria e Jashtme: Erdhën 5 persona, mes tyre gra dhe fëmijë

Pesë shqiptarë, gra dhe fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria dhe kanë mbërritur në Shqipëri pak pas mesnatës së 26 gushtit. Riatdhesimi është realizuar në kuadër të një operacioni të koordinuar mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira në proces.

Pas mbërritjes në Tiranë, pesë të riatdhesuarit do t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore dhe vlerësimeve psikosociale, në përputhje me procedurat e parashikuara për raste të tilla. Më pas, autoritetet do të vijojnë me procesin e akomodimit, rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre në shoqëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, më 26 gusht 2026, përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë. Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve. Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij.

Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën si për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, ashtu edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt.