... Nami.al

Vrasja në Ksamil/ Punonjësi i Policisë dyshohet se ndihmoi Sokrat Vatën të largohej pas krimit

Hetimet për vrasjen e turistit të huaj në Ksamil janë zgjeruar, ndërsa një punonjës i Policisë së Shtetit dyshohet se ka ndihmuar autorin e dyshuar, Sokrat Vatën, të largohej nga vendngjarja.

Sipas burimeve të cituara në raportime mediatike, bëhet fjalë për Moisid Matushajn, i cili punonte edhe si badigard në të njëjtën kompani sigurie ku punonte Vata. Matushaj rezulton gjithashtu punonjës i Policisë së Shtetit, me detyrë specialist i hetimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër.

Burimet pretendojnë se Matushaj dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu ngjarjen dhe se ka ndihmuar Vatën pas vrasjes. Për këtë arsye, roli i tij është bërë pjesë e hetimit.

Pas krimit, Vata dyshohet se është larguar nga zona me ndihmën e dy shtetasve turq, një burrë dhe një grua, të cilët e kanë fshehur në bagazhin e automjetit. Ai u kap më pas në aksin Levan-Fier, rreth pesë orë pas ngjarjes.

Ndërkohë, hetimet paraprake flasin për një konflikt që dyshohet se nisi pas një incidenti mes viktimës dhe personave të tjerë në ambientet pranë “Principotes”. Sipas burimeve, gjatë përplasjes ka mbetur i plagosur edhe një shtetas tjetër i huaj.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit person të përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.