... Nami.al

“Plazhi i lirë” në Golem, procedohen 3 persona për zënien e hapësirave publike, sekuestrohen 116 çadra dhe 232 shezlongë

Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare në kuadër të operacionit të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Gjatë aksionit në plazhin e Golemit, efektivët e policisë kanë hequr dhe sekuestruar 116 çadra dhe 232 shezlongë, të cilët ishin vendosur pa lejet përkatëse në hapësira publike.

Sipas policisë, për këtë rast është nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj tre shtetasve, me inicialet A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë.

Kontrollet janë zhvilluar për të verifikuar respektimin e rregullave nga subjektet që operojnë në zonat bregdetare gjatë sezonit turistik dhe për të garantuar aksesin e lirë të pushuesve në hapësirat publike.

Policia e Shtetit bëri të ditur se aksionet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, ndërsa subjektet që zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike do të përballen me masa administrative dhe procedime penale, sipas parashikimeve ligjore.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe operatorëve turistikë që të respektojnë hapësirat publike dhe të shmangin çdo ndërhyrje të paautorizuar në zonat bregdetare.