...
Dy persona, pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës në Tiranë, janë arrestuar nga Policia, pasi akuzohen se kanë kanosur, dhunuar dhe mbajtur kundër vullnetit të saj një kliente gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Sipas Policisë, gjatë ndërhyrjes së efektivëve, të dyshuarit kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e rendit, ndërsa njëra prej tyre dyshohet se ka goditur një efektiv policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
“Kanosën, privuan lirinë e një klienteje dhe kundërshtuan e goditën punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së detyrës, vihen në pranga 2 shtetas, pronarë të një dyqani.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit S. A., 63 vjeç, dhe E. H., 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta”, njofton policia.