... Nami.al

Bullgaria dhe Sllovenia mund të forcojnë boshtin Shqipëri-Kroaci-Kosovë

Mundësia e zgjerimit të platformës së bashkëpunimit në mbrojtje mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës me Bullgarinë dhe Slloveninë mund të ndryshojë ekuilibrat e sigurisë në Ballkan, por mbetet ende një perspektivë politike dhe jo një zhvillim i formalizuar.

Ky është përfundimi i një analize të publikuar nga Instituti Italian për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (IARI), e cila shqyrton zhvillimin e platformës së krijuar me Deklaratën e Përbashkët për Bashkëpunimin në Mbrojtje, të nënshkruar në Tiranë më 18 mars 2025.

Sipas analizës, përfshirja e Bullgarisë do t’i shtonte nismës një dimension strategjik drejt krahut lindor të NATO-s dhe rajonit të Detit të Zi, ndërsa Sllovenia do të forconte lidhjen me Adriatikun verior dhe do të sillte një peshë më të madhe diplomatike brenda Bashkimit Evropian dhe Aleancës Atlantike.

Megjithatë, autori thekson se është e nevojshme të bëhet dallimi mes mundësive politike dhe realitetit institucional.

“As Bullgaria dhe as Sllovenia nuk rezultojnë bashkënënshkruese të Deklaratës së Tiranës”, thuhet në analizë, duke nënvizuar se nuk ekziston një proces formal aderimi apo një vendim zyrtar për zgjerimin e platformës.

Sipas analizës, një zgjerim i mundshëm do të rriste kapacitetet për stërvitje të përbashkëta, koordinim ushtarak, siguri kibernetike dhe mbrojtje të infrastrukturave kritike, duke krijuar një rrjet më të gjerë bashkëpunimi në Evropën Juglindore.

Bullgaria do të sillte një lidhje më të drejtpërdrejtë me rajonin e Detit të Zi dhe kufirin lindor të NATO-s, ndërsa Sllovenia do të shërbente si një urë lidhëse me Evropën Qendrore dhe strukturat euroatlantike.

Analiza vlerëson se kjo do të rriste “peshën e rrjetit” të platformës, duke e bërë atë më të rëndësishme në aspektin e interoperabilitetit dhe koordinimit rajonal.

Autori paralajmëron gjithashtu se çdo zgjerim duhet të shmangë perceptimin e krijimit të një blloku të ri kundër Serbisë ose Rusisë.

Sipas analizës, platforma duhet të mbetet e fokusuar te bashkëpunimi praktik në mbrojtje, rezistenca ndaj kërcënimeve hibride, mbrojtja e infrastrukturës dhe koordinimi teknik, pa u shndërruar në një instrument të rivaliteteve gjeopolitike në Ballkan.

Në përfundim, analiza thekson se edhe në rast të zgjerimit, platforma Shqipëri-Kroaci-Kosovë nuk mund të zëvendësojë rolin e NATO-s apo të misionit KFOR në Kosovë.

Stabiliteti afatgjatë në rajon, sipas autorit, do të vazhdojë të varet nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa bashkëpunimi minilateral mund të shërbejë vetëm si një instrument shtesë për rritjen e koordinimit dhe rezistencës ndaj sfidave të sigurisë.

Në këtë kuadër, Bullgaria dhe Sllovenia shihen si partnerë potencialë që mund t’i japin platformës më shumë peshë politike dhe strategjike, por çdo zgjerim do të kërkonte vendime zyrtare dhe projekte konkrete bashkëpunimi, jo vetëm deklarata politike.