... Nami.al

Sa zyrtarë të lartë iranianë ka vrarë Izraeli në tre javë?

Vala e sulmeve nga Izraeli ka shkaktuar humbje të mëdha në kupolën drejtuese të Iranit, duke eliminuar dhjetëra zyrtarë të lartë politikë, ushtarakë dhe të inteligjencës që nga fillimi i luftës.

Mes figurave më të rëndësishme të vrara është ish-udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, i cili humbi jetën më 28 shkurt, në ditën e parë të sulmeve ajrore të ndërmarra nga SHBA-të dhe Izraeli.

Në të njëjtën ditë u vranë edhe disa nga drejtuesit kryesorë të sigurisë dhe Ushtrisë, përfshirë këshilltarin e sigurisë Ali Shamkhani, komandantin e Gardës Revolucionare Islamike, Mohammad Pakpour, si dhe ministrin e Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh.

Goditjet kanë vijuar edhe në ditët pasuese. Më 3 mars, Izraeli njoftoi vrasjen e Majid ibn al-Reza, vetëm një ditë pasi ishte emëruar ministër i ri i Mbrojtjes, si dhe të Reza Khazaei, pjesë e njësisë elitare Quds në Beirut.

Sulmet në kryeqytetin libanez vazhduan edhe më 8 dhe 12 mars, ku u vranë disa zyrtarë të tjerë të Gardës Revolucionare dhe struktura të lidhura me Hezbollahun.

Goditja më e fundit erdhi më 17 mars, kur u vra në Tehran kreu i sigurisë kombëtare, Ali Larijani. Në një tjetër operacion, u eliminua edhe komandanti i Basij, Gholamreza Soleimani, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij.

Këto zhvillime përbëjnë një goditje të paprecedentë ndaj strukturës drejtuese të Iranit, duke dobësuar zinxhirin e komandës dhe rritur pasigurinë në vend.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se eliminimi i figurave kyçe mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe ta bëjë më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje diplomatike.