... Nami.al

14 kandidatë në garë për postin e Drejtorit të ri të Policisë (EMRAT)

Janë 14 kandidatë që kanë shprehur dëshirën për të marrë postin e lartë në Policinë e Shtetit me mandat 5-vjeçar.

Mes kandidatëve që kanë aplikuar është Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit.

Një tjetër kandidat është drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste drejtuese edhe në qarqet Shkodër dhe Dibër.

Po ashtu ka paraqitur kandidaturën edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë dhe ka mbajtur disa pozicione drejtuese në polici, por edhe Idajet Faskaj, i cili gjithashtu ka shërbyer në disa dikastere të Policisë së Shtetit.

Dokumentacionin e ka plotësuar edhe drejtori aktual i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa.

Për të drejtuar Policinë e Shtetit ka shprehur interes edhe ish-drejtori i disa drejtorive vendore, Lorenc Panganika, aktualisht pranë Akademisë së Sigurisë.

Në garë është përfshirë edhe Tonin Vocaj, ish nr.1 i Policisë së Tiranës. Pjesë është bërë edhe Gentian Shehaj.

Gjithashtu kanë aplikuar edhe drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Aranit Vrapi.

Të enjten, Ministria e Brendshme do të publikojë në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër të Brendshëm dhe 2 anëtarë, sekretarin e përgjithshëm të këtij dikasteri dhe kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, me argumentin se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës hodhën molotov në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj. Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.

Kandidatët për postin e drejtorit të ri të Policisë:

Pëllumb Seferi

Elidon Çela

Alfred Çepe

Rebani Jaupi

Saimir Boshnjaku

Lorenc Panganika

Afrim Tafa

Neritan Nallbati

Idajet Faskaj

Gentian Berberi

Tonin Vocaj

Skënder Hitaj

Arjanit Arapi

Gentjan Shehaj