... Nami.al

“Kam nënën sëmurë…”, dëshmia e Luan Maçit që grabiti me armë 1.2 milionë lekë “Western Union” te qendra “Concord”!

Autori i dyshuar i grabitjes së ndodhur një ditë më parë në një pikë këmbimi valutor, 42-vjeçari Luan Maçi, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve të Komisariatit të Policisë Nr. 4.

Maçi ka pretenduar se ishte i detyruar të kryente grabitjen për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij.

Nga veprimet hetimore rezulton se Maçi ka hyrë në orët e para të mëngjesit në pikën “Exchange” të ‘Western Union’ në qendrën tregtare Concord, në rrugën “5 Maji”.

Pasi ka kërcënuar punonjësen me armë zjarri, ai ka arritur të marrë një shumë parash që dyshohet të jetë rreth 1.2 milionë lekë.

42-vjeçari nuk është i panjohur për organet e rendit, pasi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për vepra të ndryshme.

Gjatë grabitjes 42-vjeçari ishte i veshur me rroba të zeza dhe mbante mjekër, ndërsa pasi është kthyer në banesë dyshohet se e ka rruar atë, në përpjekje për të ndryshuar pamjen dhe për t’i shpëtuar identifikimit nga policia.